“Fjalë pa nota”, libër i ri me artikuj e studime nga Vasil S. Tole

  • Krijime të larmishme në lloje e tipologji; të lidhura me historinë e muzikës shqiptare dhe
    protagonistët e saj (themeluesit e operas, simfonisë, baletit, koncertit orkestral, këngës dhe gjinive
    të tjera); me brezin e dytë të shkollës shqiptare të muzikës (kompozimit, ekzekutimit, interpretimit);
    me zhvillimet bashkëkohore në muzikën e sotme


Libri përmban pesë kapituj: “Muzikë, art dhe kulturë”; “Muzikë, art, kulturë dhe
shkencë”, “Trashëgimi”; “Nderim artistëve dhe studiuesve”; “Për botimet muzikore, libra
dhe CD”.
Autori nderimin e parë ua kushton profesorëve dhe mjeshtrave që kanë lënë
gjurmë në formimin e tij, para së gjithash atyre të shkollës shkodrane (Çesk Zadeja, Tish
Daija, Prenk Jakova, Pjetër Gaci); figurave të rëndësishme të krijimtarisë muzikore gjatë
viteve 1930 e më pas; kompozitorëve e instrumentistëve të formuar në shkollën shqiptare;
si dhe studiuesve të mëhershëm e të sotëm të kësaj trashëgimie, kolegë të tij, formues të
brezave të rinj të artistëve dhe studiuesve. Një libër ku tek autori njeriu i kërkimit dhe
njeriu i krijimit nuk mund të ndahen.
Vend më vete zënë studimet që lidhen me nismat e autorit për promovimin
ndërkombëtar të trashëgimisë shqiptare përmes programeve e listave të UNESCO-s
(eposi heroik dhe lahuta, isopolifonia, përvojat e mira si FFK).
Në një kapitull tjetër janë përfshirë recensionet, oponencat, hyrjet e parathëniet për
libra të kolegëve, fjalë të mbajtura në përurime dhe në ceremoni, përshëndetje, diskutime.
Ndërthuren e alternohen paraqitja e rezultateve të kërkimit shkencor, të krijuesit në
muzikë, me publicistikën shkencore dhe ligjërimin për një lexues të gjerë.
Libri paraqet interesat e shumanshëm të autorit po aq sa dhe kontributet në detyrat
që ka kryer e kryen, si drejtues, anëtar komisionesh e bordesh krijimtarie, anëtar jurish,
pjesëmarrës në skuadra shkencore, me rol vetjak në nisma kulturore, me pozicionime
zyrtare për çështje të ligjshmërisë në fusha të muzikologjisë, folklorit, trashëgimisë
kulturore. Kjo shpjegon faktin e ndërlidhjes së një pjese të artikujve me kalendarët
kulturorë, me përvjetorë e jubilenj, me jetën skenike bashkëkohëse, me dukuritë e reja në
muzikë, me botimet dhe diskutimet, me kronikën e kohës.
Libri është i dobishëm për të gjithë ata që janë të interesuar për historinë e muzikës
shqiptare, periodizimin dhe protagonistët, infrastrukturën e veprimtarisë së individëve
dhe institucioneve që veprojnë në këtë fushë, njerëzit që kanë dominuar skenat, jehonën
e artit të tyre në shtyp; duke marrë vlerat e një arkivi selektiv të kujtesës muzikore.