“Magjia e një simfonie thellësisht shqiptare”

Pas një përvoje të gjatë, kompozitori Vasil Sofokli Tole i ofroi publikut një simfoni me
ashtë tërësisht shqiptar. Premiera botërore e “Albanoi” u luajt me datë 9 maj, 2025,
në Ditën e Evropës, nga orkestra simfonike e Radio-Televizionit Shqiptar, nën drejtimin
e Maestro Eno Koços.
Kjo orkestër e themeluar më 16 maj të vitit 1962, rrënjët i ka, në fakt, në vitin 1938,
kohë kur u krijua Radio Tirana dhe, pranë saj, u vendos një formacion orkestral që quhej
Orkestra e Radio Tiranës, fillimisht nën dirigjimin e dirigjentit italian Umberto Rampi e
pastaj, pas ’44-ës, nën dirigjimin e Mustafa Krantjës, Bojan Adamiçit etj.
Krijues si Kristo Kono, Pjetër Dungu, Dhora Leka etj ishin ndër të parët që u
interpretuan. Pas tyre orkestra simfonike e RTSH ka interpretuar krijimtarinë e pothuajse
gjithë kompozitorëve shqiptarë prej At Martin Gjokës, At Fan S. Nolit, Murat Shehut, Çesk
Zadejës, Tish Daisë, Tonin Harapit, Kozma Larës, Pjetër Gacit, Feim Ibrahimit, Limoz
Dizdarit, Shpëtim Kushtës, Kujtim Laros, Thoma Gaqit, Hajg Zaharianit, Spartak Tilit,
Gazmend Mullahit, Thomas Simakut, David Tukiqit, Josif Mingës, Zef Çobës, Aleksandër
Peçit, Sokol Shupos, Ermir Dergjinit, Fatos Qerimit, Endri Sinës etj, e deri tek brezat më të
rinj. Po ashtu krijimtarinë e krijuesve shqiptarë të Kosovës Rexho Mulliqi, Lorenc Antoni,
Rauf Dhomi, Zeqirja Ballata, Fahri Beqiri etj.
Ndërkohë, për t’u rikthyer te premiera e “Albanoit”. Të pranishmit, mes të cilëve kisha
fatin të jem edhe unë, shprehën konsidereatën e tyre për këtë vepër të jashtëzakonshme,
prandaj edhe vendosa që, nëpërmjet fjalëve të tyre, të tejçoja tek lexuesi i “ExLibris” një
shije, sado të zbehtë, të kësaj ngjarjeje madhore jo vetëm në jetën e kompozitorit, por në
vetë jetën artistike të botës shqiptare, brenda e përtej vetë Shqipërisë.
Një bisedë që pata fatin të zhvilloja me prof. Vason pak kohë më parë (ExLibris, nr.
304), e mbyllëm me fjalinë “Se si do të jetë kjo simfoni shqiptare e shek. XXI, besoj do të
flasim përsëri, pas premierës së saj!” Dhe, meqë tani jemi përnjëmend pas premierës, po
flasim për të, ama jo me kompozitorin, por me disa personalitete, të fushës ose jo, që e
vlerësuan së tepërmi!

Artikullin në ExLibris mund ta lexoni këtu.