"Të lëvdojmë burrat e
lumnueshëm…qi në zeje të vet
kërkojnë të gjejnë të ramet muzikore… Kta
të gjith, brez mbas brezit, lanë nji nam në fis
të vet… e nëpër t'a të bijt e tyne s'do të
harrohen sa t'jet jeta".

Bibla, Eccl 44

Ai njeri që s'ka muzikë mu në shpirt
Dhe që bashkim i ëmbl'i i zërave nuk e trondit
Ësht i pabesë dhe gati për gracka dhe plaçkitje
Lëvizj' e mendjes tij si nata ësht' e ngrysur
Edhe ndjenjat i ka t'errëta si Erebi"
Të mos i zini besë një t'atilli.

Shekspir

Enciklopedia e muzikes popullore
Një hyrje për enciklopedinë

Skedimi, studimi dhe shpjegimi i fjalësit të muzikës popullore si dhe vetë muzikës popullore në një vështrim më të gjerë, siç dihet, deri më sot është bërë në mënyrë të pjesshme. Është bërë pjesërisht sepse ndër të tjera edhe vetë shkenca etnomuzikologjike ( formuar në gjysmën e dytë të shek. XX), është një shkencë e re në lëmin e shkencës shqiptare të antropologjisë kulturore. Pavarësisht sa më sipër, duhet të pranojmë se ka ekzistuar një literaturë e cila ndonëse anësisht, ka cekur këtë terren të paeksploruar mirë deri më sot. Gjurmët e para të fjalësit të muzikës popullore do t'i hasim në vetë folklorin letrar shqiptar, qysh në momentet e para kur ai filloi të mblidhej dhe shkruhej. Mbledhje dhe botime të këngëve popullore duke filluar nga shek. XVIII kanë bërë Reinholdi, Hani, Pukëvili, Dozoni, Mitkoja, Hekordi, Basile, Camarda, Crispi, Staffa, Biondelli, Schiroi, De Rada etj. Gjithashtu një lëndë të pasur do të gjejmë edhe në veprat e para të letërsisë së vjetër shqipe duke filluar me Buzukun, Budin, Bogdanin, Frang Bardhin, Marin Barletin etj.

          Për herë të parë, më 1891, botohet në Strasburg "Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe" i Gustav Mejerit, në të cilin, një pjesë e vogël e fjalëve të këtij fjalori i përkisnin fjalësit të muzikës sonë popullore, e përgjithësisht folklorit shqiptar. Disa vjet më vonë gjejmë të tjera fjalë të muzikës sonë në fjalorin "Bashkimi" fjalor i shqipes, Shkodër 1908. Më tej vazhdojmë me punimet bibliografike të cilat kanë evidentuar lëndën muzikore folklorike shqiptare. Ndër këto punime përmend "Bibliographija shqype" e autorëve F.Manek, Dr. Gj. Pekmezi dhe A. Sotz botuar në Vjenë më 1909; At Vinçenc Prenushi "Visari Komtarr" Sarajevo 1911; "Bibliografia shqipe"-vepër postume e Emil Legrand botuar në Paris më 1912; bibliografia e Norbert Joklit etj. Pas çlirimit, Dh. S. Shuteriqi boton më 1956 "Bibliografinë e arsyetueme të folklorit shqiptar" tek buletini për shkencat shoqërore; Q. Haxhihasani boton "Kontribut për bibliografinë e studimeve folklorike-etnografike shqiptare", më 1957 tek Buletini i Universitetit Shetëror të Tiranës; Andromaqi Gjergji boton "Bibliografinë e etnografisë" etj.

          Si botime specifike, më 1965, Ramadan Sokoli boton si pjesë të librit të tij "Folklori muzikor shqiptar-morfologjia" më 1965 "Fjalorth etnomuzikologjik". Në vitin 1981, po nga Prof. Sokoli kemi realizimin e një fjalori teknik dhe etimologjik të veglave popullore të botuar si pjesë e librit "Gjurmime folklorike". Më 1986 Palokë Rotani boton "Fjalorth muzikor nga Malësia e Madhe", tek "Kultura Popullore", 2/1986; më 1989 në librin "Studime mbi leksikun dhe mbi formimin e fjalëve në gjuhën shqipe". Prof. A.Kostallari, në kap. "Rreth depërtimit të turqizmave", Vol III, evidenton rreth 100 turqizma që kanë hyrë në muzikën popullore shqiptare. Me rëndësi e konsiderojmë edhe punimin "Huazime orientalizmash në shqipet" e Tahir Dizdarit, punim i cili evidenton të gjithë atë lëndë muzikore me burim oriental etj. Në vitin 1997, Vasil S. Tole përzgjedh dhe boton "Fjalorin etnomuzikor etimologjik të shqipes" sipas veprës "Studime etimologjike" të Prof. E.Çabej, tek libri "Muzika & Letërsia"


Informacion mbi të drejtën e autorit

Kliko në njerën nga gërmat për te parë fjalët që fillojnë me ate gërmë.

A B C Ç D DH E F G GJ H I J K L LL M N NJ O P Q R RR S SH T TH U V X XH Z ZH

 

 

Mbi autorin